Shpërthim në klinikën e fertilitetit në Kaliforni! Identifikohet autori, një 25-vjeçar me ide ekstremiste

Autoritetet në Kaliforni kanë identifikuar autorin e dyshuar të shpërthimit vdekjeprurës që tronditi një klinikë fertiliteti në Palm Springs.

Bëhet fjalë për Guy Edward Bartkus, 25 vjeç, për të cilin FBI thotë se kishte “ide nihiliste”.

Ai dyshohet se është viktima e vetme e incidentit, pasi shpërtheu një pajisje të fuqishme shpërthyese të vendosur në një makinë tip Ford Fusion.

Ngjarja ndodhi të shtunën, rreth orës 23:00 me orën lokale, shumë pranë qendrës së qytetit Palm Springs dhe afër Qendrës Amerikane të Riprodhimit (ARC).

Sipas autoriteteve, Bartkus tentoi ta transmetonte drejtpërdrejt sulmin, ndërsa hetimet janë ende në vijim për të zbuluar motivet dhe lëvizjet e tij para shpërthimit.

FBI e ka cilësuar këtë ngjarje si një akt të qëllimshëm terrorizmi, duke theksuar se sulmi kishte si objektiv të drejtpërdrejtë klinikën e fertilitetit, e cila ofron shërbime të fertilizimit in vitro (IVF). Në vendin e ngjarjes janë gjetur dokumente dhe një manifest, që besohet se lidhen me autorin.

Në shpërthim u plagosën katër persona të tjerë, por sipas autoriteteve janë jashtë rrezikut për jetën. Klinika njoftoi se laboratori i saj, përfshirë vezët dhe embrionet, ka mbetur i paprekur dhe i sigurt.

“Fatmirësisht, ishte një ditë kur nuk kishim pacientë,” u shpreh drejtuesi i klinikës, Dr. Maher Abdallah. Pavarësisht dëmeve të konsiderueshme në zyrat e saj, qendra e fertilitetit pritet të rikthehet në funksion të plotë së shpejti.

Shpërthimi ka lënë gjurmë të mëdha në një rreze prej 100 metrash, ndërsa FBI e përshkroi si “skenën më të madhe të bombardimeve në Kaliforninë Jugore” në vitet e fundit. Hetimet po vazhdojnë dhe autoritetet kanë kërkuar ndihmën e publikut për informacion mbi lëvizjet e Bartkusit para incidentit.