
Përpjekja për të konstituuar Kuvendin e Kosovës ka dështuar sërish sot, pavarësisht pjesëmarrjes së 113 deputetëve në seancën plenare.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, hodhi në votim formimin e Komisionit për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, por vetëm 56 deputetë votuan pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa deputetët e partive tjera bojkotuan procesin.
Për pasojë, konstituimi i Kuvendit nuk u arrit dhe seanca u shty për 9 maj, ora 10:00, ku pritet të bëhet një tjetër përpjekje për zhbllokimin e situatës politike në vend.
Ngërçi institucional po vazhdon prej disa javësh, ndërsa mungesa e konsensusit mes partive politike ka bërë që Kosova të mbetet pa strukturat drejtuese të Kuvendit.