Pushtimi nga milingonat në Gjermani, shkaktojnë ndërprerje energjie dhe interneti në jugperëndim të vendit

Një fenomen i pazakontë po shkakton shqetësim në disa zona të Gjermanisë, ku një specie pushtuese milingonash, e njohur si Tapinoma magnum, po përhapet me shpejtësi në jugperëndim të vendit, duke shkaktuar probleme serioze në infrastrukturë.

Sipas gazetës Bild, këto milingona të vogla, të cilat formojnë koloni të mëdha, kanë hyrë në shtëpi, ambiente publike dhe madje kanë ndikuar në ndërprerje të energjisë elektrike dhe shërbimeve të internetit. Rastet më të shumta janë regjistruar në shtetin federal të Baden-Württemberg, veçanërisht në qytetet Stuttgart, Karlsruhe dhe Kehl.

Në qytetin Kehl, një kënd lojërash për fëmijë është mbyllur prej muajsh për shkak të pranisë së kolonive të milingonave. Ekspertët lokalë të mjedisit dhe biologët janë duke hetuar përhapjen dhe ndikimin e kësaj specieje në ekosistemin vendas.

Tapinoma magnum, me origjinë nga rajoni i Mesdheut, ka filluar të përhapet në Gjermani prej vitesh, por kohët e fundit numri i kolonive dhe ndikimi i tyre është shtuar ndjeshëm.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa të menjëhershme, milingonat mund të përbëjnë kërcënim për infrastrukturën, higjienën dhe jetën e përditshme të banorëve në zonat e prekura