Makina përplas shpërndarësin e picave në mes të Lushnjës, 30-vjeçari përfundon në spital

Një aksident rrugor është shënuar mbrëmjen e së enjtes në bulevardin e palmave në qytetin e Lushnjës, ku një shpërndarës picash ka mbetur i lënduar dhe është dërguar me urgjencë në spital.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, kur një motoçikletë me targa AV 450, e drejtuar nga një i ri rreth të 30-ve, është përplasur nga një automjet tip Ford me targa AA 599 VH, i cili po dilte nga një parking.

Dyshohet se drejtuesi i mjetit tip Ford kishte shikim të kufizuar dhe po lëvizte me marsh indjetro, duke mos e vënë re motoçiklistin që po kalonte në bulevard. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motoçikletës ka pësuar dëmtime dhe është transportuar me ambulancë në spitalin e Lushnjës.

Burime nga spitali bëjnë me dije se i lënduari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.