
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shtetin e Virginias në SHBA, ku tre të rinj humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Incidenti ndodhi pasditen e së martës në zonën Olde Greenwich Circle, raportojnë mediat amerikane, përfshirë CNN.
Viktimat janë identifikuar si dy 18-vjeçarë dhe një 20-vjeçar, të gjithë të rinj. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalet e zonës, ndërsa nuk është bërë e ditur gjendja e tyre shëndetësore.
Motivet e kësaj ngjarjeje të dhunshme mbeten ende të paqarta. Policia ka arrestuar katër të dyshuar, të gjithë adoleshentë: dy 16-vjeçarë, një 17-vjeçar dhe një 18-vjeçar.
Hetimet po vijojnë, ndërsa autoritetet lokale po punojnë për të zbardhur shkaqet e sulmit dhe lidhjet mes të përfshirëve. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka rikthyer sërish vëmendjen mbi problemin e armëmbajtjes në SHBA.