
Bashkimi Evropian ka miratuar zyrtarisht kundërmasa tregtare ndaj Shteteve të Bashkuara, si përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga administrata e presidentit Donald Trump për çelikun dhe aluminin evropian. Vendet anëtare të BE-së votuan sot në favor të propozimit të Komisionit Evropian, duke hapur rrugën për vendosjen e tarifave ndaj një sërë produktesh amerikane.
Sipas një dokumenti të brendshëm të Komisionit, kundërmasat do të prekin produkte amerikane me një vlerë totale prej rreth 22.1 miliardë euro, bazuar në të dhënat e importit të vitit 2024. Lista përfshin produkte si duhani, motoçikletat, çeliku dhe alumini, ndërsa uiski amerikan u përjashtua nga masat pas kërcënimit të presidentit Trump për vendosjen e një tarife 200% ndaj pijeve alkoolike të importuara nga BE.
Tarifat amerikane, të cilat u vendosën në mars, u konsideruan nga BE-ja si “të pajustifikuara dhe të dëmshme”, me pasoja negative jo vetëm për ekonomitë e dyanshme, por edhe për tregtinë globale. Bashkimi Evropian ka nënvizuar se preferon zgjidhje përmes negociatave, duke kërkuar një marrëveshje të balancuar dhe të dobishme për të dyja palët.
Pas miratimit të sotëm nga shtetet anëtare dhe përfundimit të procedurave të brendshme, kundërmasat do të hyjnë në fuqi më 15 prill. Komisioni ka theksuar se masat mund të pezullohen në çdo moment nëse Uashingtoni pranon të arrijë një marrëveshje të drejtë në tryezën e bisedimeve.
Përplasja e re tregtare mes BE-së dhe SHBA-së vjen në një kohë të ndjeshme për ekonominë botërore dhe mund të thellojë tensionet transatlantike në muajt në vijim.