
Ish-rezidenca e diktatorit Enver Hoxha, e njohur si Vila 31, është transformuar në një qendër moderne artistike dhe kulturore me emrin Vila 31 x Art Explora. Inaugurimi i saj u mbajt sot në prani të kryeministrit Edi Rama dhe pjesëmarrësve të parë nga vende të ndryshme si Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e të tjerë.
Projekti, i realizuar në bashkëpunim me fondacionin ndërkombëtar Art Explora, synon të rikthejë një hapësirë të ngarkuar historikisht në një qendër të dialogut kulturor dhe inovacionit artistik. Vila do të funksionojë si rezidencë për artistë, kuratorë dhe krijues nga e gjithë bota, duke ofruar hapësira për performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash.
Në ceremoninë e hapjes, Rama theksoi rëndësinë e këtij transformimi, duke e cilësuar Vilën si një “vatër të re kulture për gjithë shqiptarët”, dhe një simbol të kthimit të së shkuarës në shërbim të së ardhmes. Ai shtoi se “nuk besoj se imagjinata e artistëve do të përfytyronte anglezët që hapin diçka të tillë në Shqipëri apo kudo tjetër që nuk është kolonia e tyre”, duke nënvizuar vlerën e përkushtimit ndërkombëtar në këtë projekt.
Vila 31 do të jetë e hapur për publikun me hyrje falas nga data 9 deri më 13 prill, gjatë së cilës do të zhvillohet një program i larmishëm kulturor për të gjithë grupmoshat dhe interesat artistike.
Ky projekt shënon një tjetër kthesë në qasjen ndaj trashëgimisë së periudhës komuniste, duke synuar ripërdorimin e hapësirave simbolike për qëllime edukative dhe krijuese në një kontekst bashkëkohor.