
Atmosferë elektrizuese në Tiranë para derbit mes Tiranës dhe Partizanit që luhet mbrëmjen e sotme në “Arenën Kombëtare”, në kuadër të javës së 33-të të Superligës. Dueli i shumëpritur, i 178-ti në histori, vjen me objektiva të ndryshëm për dy skuadrat: Tirana kërkon të largohet nga fundi i tabelës për të siguruar mbijetesën, ndërsa Partizani synon konsolidimin në vendin e katërt që të çon në zonën “Final 4” për titullin kampion.
Deri më tani janë shitur mbi 8 mijë bileta dhe në stadium pritet një pjesëmarrje prej afro 10 mijë tifozësh. Mbështetësit e të dy ekipeve, “Tirona Fanatics” dhe “Guerrils”, kanë mbërritur në mënyrë të organizuar në impiant, të shoqëruar nga forcat e policisë për të shmangur përplasjet.
Tifozët marshuan nga drejtime të ndryshme të qytetit, duke krijuar një atmosferë të ndezur me këngë, flakadanë dhe thirrje kundër rivalëve, çka për një moment trazoi qetësinë e kryeqytetit. Ndeshja pritet të jetë e fortë dhe emocionuese, me tension të lartë jo vetëm në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit.