Ambasada e SHBA-së sqaron rikthimin e ekspertëve amerikanë në SPAK: “OPDAT, program thelbësor për interesat kombëtare”

Prej së enjtes së kaluar, të gjithë ekspertët e OPDAT, të vendosur pranë SPAK që nga krijimi i tij, janë rikthyer në detyrë, pasi u larguan pas vendimit të Departamentit të Shtetit për pezullimin e disa programeve.

Një zyrtar i ambasadës amerikane, duke iu përgjigjur interesimit, sqaroi se disa programe të konsideruara thelbësore për interesat kombëtare të SHBA-së janë rikthyer, ndërkohë që ndihma e huaj amerikane mbetet ende në proces rishikimi.

“Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump të datës 20 janar për rivlerësimin dhe riorganizimin e ndihmës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio nisi një rishikim të plotë të ndihmës së huaj të SHBA-së për të siguruar që programet të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA-së, nën axhendën ‘Amerika e Para’. Disa programe që konsiderohen thelbësore për interesat kombëtare të SHBA-së kanë rifilluar, ndërkohë që rishikimi i ndihmës së huaj është ende duke u zhvilluar,” deklaroi zyrtari i ambasadës.

Takime me prokurorët e posaçëm

Pas rikthimit, ekspertët e OPDAT kanë zhvilluar takime me prokurorët e posaçëm, duke diskutuar vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve.

OPDAT (Zyra për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit) është një program i Departamentit të Drejtësisë në SHBA, i krijuar në vitin 1991 si një mekanizëm për të luftuar krimin transnacional. Ky program synon të forcojë partneritetet me autoritetet e huaja për të parandaluar veprimtaritë kriminale, përpara se ato të prekin territorin amerikan.