
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore në nderim të katër martirëve të vrarë më 2 prill 1991 në qytetin e Shkodrës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se sakrificat e tyre janë më frymëzuese se kurrë dhe bëri thirrje që më 11 maj “të kthehet drita e lirisë”.
“Sot jemi këtu për të shprehur nderimin tonë më të thellë dhe mirënjohjen e pakufijshme për martirët e votës së lirë, heronjtë e vërtetë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë: Arben Brocin, themelues i pluralizmit dhe PD-së; Bujar Bishanakun, aktivist të shquar; Nazmi Kryeziun, aktivist të PD-së dhe Besnik Cekën, aktivist të shquar të kësaj partie.
Por ne nderojmë gjithashtu edhe 87 qytetarë të Shkodrës që u plagosën në atë ditë masakre, një ngjarje e paprecedentë në historinë e re të këtij qyteti.
Më 2 prill 1991, diktatori i fundit stalinist në Europë, Ramiz Alia, i cili kishte pranuar zgjedhjet pluraliste, vendosi të festojë fitoren e grabitur me gjakun e të rinjve të Shkodrës, duke ndjekur moton se pushteti vjen nga gjaku. Ata që kryen këtë masakër treguan se, si pushtues të brendshëm, nuk ndryshonin nga pushtuesit e huaj. Me pabesi dhe mizori, nuk ngurruan të lagnin me gjak këtë qytet të bekuar.**
Berisha nënvizoi se sakrifica sublime e martirëve të votës së lirë dhe e dhjetëra qytetarëve të plagosur atë ditë pati një jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.
“Ngjarja zgjoi revoltën dhe dënimin e ashpër të opinionit demokratik evropian, Parlamentit Europian, Këshillit të Europës dhe Kongresit të SHBA-së. Martirët e votës së lirë u ndanë nga jeta, por mbetën të pavdekshëm në shpirtin e lirisë dhe në vlerën e votës së lirë. Ata janë sot burim drite dhe frymëzimi për çdo qytetar që beson tek liria dhe fuqia e votës. Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar që është i gatshëm të sakrifikojë për lirinë dhe të drejtën e tij për të zgjedhur,” përfundoi Berisha.