Konflikti në Lindjen e Mesme shton presionin ekonomik, rriten çmimet në Shqipëri

Screenshot

Përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme po reflektohet edhe në tregun shqiptar, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, inflacioni gjatë muajit prill arriti në 2.8%, duke regjistruar nivelin më të lartë të dy viteve të fundit.

Ndikimi kryesor vjen nga rritja e çmimit të karburanteve dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare, që po transmetohet gradualisht në ekonomi. Vetëm brenda një muaji, inflacioni u rrit nga 2.6% në 2.8%, ndërsa disa nga shërbimet dhe produktet bazë janë bërë më të kushtueshme për qytetarët.

Transporti rezulton sektori me rritjen më të fortë të çmimeve. Sipas statistikave zyrtare, ky grup ka pësuar një rritje prej 8.5% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Ndërkohë, gjatë muajit prill çmimet në këtë sektor u shtuan me 1%. Shtrenjtimi lidhet me rritjen e çmimit të naftës, e cila në tregun vendas ka kaluar kufirin e 200 lekëve për litër.

Rritje janë regjistruar edhe në qira, energji elektrike, ujë dhe karburante të tjera, sektor që pati një ndikim të konsiderueshëm në nivelin total të inflacionit. Po ashtu janë shtuar kostot për shërbimet financiare, sigurimet, aktivitetet kulturore dhe argëtuese, si edhe për restorantet dhe strukturat akomoduese.

Familjet shqiptare vijojnë të ndjejnë presion edhe te ushqimet. Kategoria e produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike ka shënuar rritje me 1.3% në krahasim me një vit më parë. Në të kundërt, veshjet dhe këpucët pësuan një ulje të lehtë të çmimeve gjatë muajit prill.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë normën bazë të interesit, duke e lënë në nivelin 2.5%. Sipas institucionit, efekti i rritjes së çmimeve të energjisë dhe naftës pritet të jetë i përkohshëm, ndërsa ekonomia shqiptare parashikohet të vijojë rritjen, edhe pse me ritme më të moderuara.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
8 May, 16:22 | Përditësimi: 8 May, 16:22