Moti i keq “izolon” mjetet e vogla lundruese në Vlorë, pezullohet lundrimi deri në orën 22:00

Autoritetet detare kanë njoftuar për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe në det të hapur gjatë kësaj të premteje, 8 maj 2026.

Sipas parashikimeve, duke nisur nga ora 08:00 priten erëra të forta nga drejtimi jug-juglindje me forcë deri në 6-7 ballë dhe me shpejtësi 15-20 m/s. Ndërkohë, dallgët në det do të arrijnë lartësi nga 1.5 deri në 2.5 metra.

Për shkak të përkeqësimit të motit, autoritetet kanë ndaluar pajisjen me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, nga ora 08:00 deri në orën 22:00 të kësaj të premteje.

Institucionet detare u kanë bërë thirrje subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e lundrimit të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte, si dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve për të shmangur situata emergjente.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht sipas itinerareve të planifikuara.

Sipas njoftimit zyrtar, përmirësimi i kushteve të motit dhe rifillimi i lundrimit për mjetet e vogla pritet pas orës 22:00.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
8 May, 15:49 | Përditësimi: 8 May, 15:49