56 studentë të Akademisë së Policisë janë paraqitur në shërbimin infektiv me simptoma helmimi, pasi dyshohet se kanë konsumuar ushqim të kontaminuar në ambientet e Akademisë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar kontrolle të imtësishme në shkollën e Akademisë dhe në ambientet ku përgatitet ushqimi, duke marrë për analiza produktet e konsumit, përfshirë edhe menunë e mëngjesit.
Burime bëjnë me dije se i njëjti subjekt që furnizon Akademinë me shërbim kateringu, furnizon me ushqim edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Për analizim laboratorik është dërguar edhe uji, ndërsa dyshimet paraprake janë se helmimi mund të ketë ndodhur gjatë konsumimit të drekës. Mostrat janë dërguar në ISUV dhe priten rezultatet zyrtare që do të përcaktojnë shkakun e incidentit.
Kontrollet nga inspektorët e AKU-së kanë nisur që prej orës 19:30 të mbrëmjes dhe kanë vijuar deri në 05:30 të mëngjesit të së enjtes, si në vendin e prodhimit të ushqimit ashtu edhe në ambientet e Akademisë së Policisë.
