Kreu i Partisë Demokratike, sali berisha bëri një tjetër thirrje për protestën e opozitës që do të mbahet mbrëmjen e 8 majit para Kuvendit të Shqipërisë.
Në një prononcim për mediat, Berisha shmangu dhënien e detajeve mbi skenarin e protestës, ndërsa akuzoi qeverinë për situatën ekonomike dhe procesin zgjedhor në vend.
“Nëse gjermani punon një orë, ose më pak se një orë për litrin e naftës, shqiptari punon një ditë. Në buxhetin familjar, shqiptarit i kushton nafta 7 herë më shumë se gjermanit”, deklaroi ai.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestë, duke e cilësuar atë si një reagim kundër “farsës elektorale”.
“Thirrja ime është, nesër çdo shqiptar të paraqitet në protestë, për t’i dëshmuar çdo shqiptari dhe partnerëve e miqve tanë se farsa elektorale nuk mbyllet kurrë”, u shpreh kreu demokrat.
Ai hodhi akuza të forta edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se “është i plagosur politikisht për vdekje” dhe se “ka frikë e tmerr nga Parlamenti”.
“Nesër, në orën 19:00, të gjithë në Tiranë. Është kryengritja jonë, është zëri i fuqishëm i shqiptarëve”, tha Berisha, ndërsa paralajmëroi se opozita nuk do të zbulojë paraprakisht organizimin e protestës.
“Do shpaloset kundërshtari. Nuk mund ta mësojë online skenarin tonë”, përfundoi ai.
