Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” vizitojnë nënën e Hashim Thaçit, shprehin solidaritet: Drejtësia do të triumfojë

Përfaqësuesit e “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini këtë të diele kanë vizituar nënën e Hashim Thaçit në Burojë të Drenicës.

Vizita u zhvillua teksa procesi gjyqësor në Hagë po hyn në fazën finale. Përfaqësuesit shprehën solidaritet dhe mbështetje të plotë për nënën Hyrë dhe familjen Thaçi, duke theksuar besimin e tyre në triumfin e drejtësisë.

Ata e njoftuan gjithashtu për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë. Përfaqësuesit theksuan se ky marshim do të jetë një shprehje e mbështetjes popullore për çlirimtarët që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.

“Qëndrojmë pranë nënës Hyrë me respekt dhe mirënjohje për sakrificën e saj. Besojmë se drejtësia do të triumfojë dhe se Presidenti Thaçi do të kthehet sa më shpejt në shtëpi, pranë familjes dhe popullit të tij”, tha Eliza Hoxha.

Tasholli nga ana tjetër u shpreh se Thaçi i mungon Kosovës dhe familjes së tij.

“Ai i mungon vendit tonë në këtë kohë sfidash. Kemi shumë punë për të bërë dhe besojmë se do të rikthehet për të vazhduar kontributin e tij”, tha ai.

Nëna e ish-presidentit të Kosovë i falënderoi për vizitën dhe për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar në këtë moment vendimtar.

Albin Hoxha
15 February, 15:23 | Përditësimi: 15 February, 15:23