TIRANË – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur sot zërin në Kuvend duke kërkuar llogari publike nga Ministria e Shëndetësisë për situatën në Njësinë 5 në Tiranë. Braçe denoncoi faktin se qendra shëndetësore në zonën e rrugës “Irfan Tomini” nuk funksionon prej 4 muajsh, duke lënë mijëra banorë pa shërbim pikërisht në momentin më kritik të vitit.
“Mijëra banorë pa shërbim” Socialisti theksoi se mbyllja e qendrës në këtë periudhë është e papranueshme. “Jemi në pikun e periudhës së gripit dhe mijëra njerëz në atë njësi nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale. Po hyjmë në muajin e 5-të me shërbim të kufizuar,” – deklaroi Braçe, duke kërkuar një datë konkrete për rikthimin e funksionimit të saj.
Revolta për mungesën e përgjigjes Përveç problemit infrastrukturor, Braçe kritikoi edhe heshtjen burokratike të institucionit. Ai bëri me dije se kërkesën zyrtare për shpjegime e ka dorëzuar që më 19 janar, por deri më sot, më 3 shkurt, nuk ka marrë asnjë reagim. “Mendova se ishte momenti i duhur për të marrë një përgjigje. Duhet të ishte shqetësim i Ministrisë së Shëndetësisë të kthente përgjigje sa më parë, pasi çdo mënyrë tjetër komunikimi është ezauruar,” – u shpreh deputeti.
