Situata është tensionuar këtë të martë para Bashkisë së Vlorës, ku tregtarët e “Tregut të Madh” dolën në protestë për të kërkuar një zgjidhje për zhvendosjen e aktivitetit të tyre.
Protesta vjen pas një takimi të zhvilluar një ditë më parë me drejtues të bashkisë, i cili sipas tregtarëve nuk solli asnjë garanci konkrete për të ardhmen e tyre ekonomike.
Në përpjekje për të marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë nga autoritetet, disa prej protestuesve hynë në ambientet e bashkisë, duke krijuar momente tensioni. Policia ndërhyri për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të shmangur incidente të mundshme.
Drejtuesja e bashkisë nuk ishte e pranishme për t’i pritur, ndërsa një përfaqësi e tregtarëve u takua me nënkryetaren. Pas bisedimeve, protesta u shpërnda, por tregtarët paralajmëruan se nuk do të largohen nga tregu aktual pa u garantuar një vend i ri për vijimin e punës.
