DOSSIER/ Irani në flakë prej gjysmë shekulli: Nga Revolucioni i 1979 te Lufta e 2025 – Kronologjia e Krizave

Irani ndodhet sot në një pikë kritike, me protesta masive që trondisin regjimin dhe akuza të ndërsjella për ndërhyrje të huaja. Por kjo nuk është hera e parë që Republika Islamike përballet me ekzistencën e saj. Që nga viti 1979, vendi ka kaluar përmes luftërave, sanksioneve shkatërruese, katastrofave natyrore dhe vrasjeve politike.

Kjo është kronologjia e gjakut dhe tensioneve që ka formësuar Iranin modern:

1. Lindja e Republikës dhe Lufta e Përgjakshme (1979–1989)

  • 1979 (Revolucioni & Pengjet): Ajatollah Khomeini kthehet nga mërgimi dhe shpall Republikën Islamike. Në nëntor, studentët radikalë marrin peng ambasadën amerikane, duke shkaktuar sanksionet e para të SHBA-së.

  • 1980 (Pushtimi Irakian): Saddam Hussein pushton Iranin. Fillon një luftë 8-vjeçare brutale me llogore dhe armë kimike, që do të kushtojë rreth 500,000 jetë.

  • 1981 (Viti i Atentateve): Opozita godet rëndë regjimin. Në qershor vritet kreu i gjyqësorit Beheshti dhe dhjetëra zyrtarë. Në gusht, vriten Presidenti Rajai dhe Kryeministri Bahonar.

  • 1988 (Tragjedia Ajrore): Anija amerikane USS Vincennes rrëzon gabimisht avionin civil Iran Air, duke vrarë 290 persona. Lufta me Irakun përfundon.

  • 1989: Vdes Khomeini; Ali Khamenei bëhet Lideri Suprem.

2. Katastrofat dhe “Boshti i së Keqes” (1990–2005)

  • 1990 & 2003 (Tërmetet): Natyra godet pamëshirshëm. Tërmeti i vitit 1990 vret 40 mijë njerëz, ndërsa ai i Bamit në 2003 shkakton po ashtu rreth 40 mijë viktima.

  • 2002: Presidenti George W. Bush e fut Iranin në “Boshtin e së Keqes”.

  • 2003: Pas pushtimit të Irakut nga SHBA, Teherani fillon të shtrijë ndikimin përmes milicive shiite në rajon.

3. Kriza Bërthamore dhe Sanksionet (2006–2015)

  • 2006-2010: OKB dhe fuqitë e mëdha ashpërsojnë sanksionet për shkak të programit bërthamor. Zbulohet virusi Stuxnet që infektoi centrifugat iraniane.

  • 2011 (Shtrirja në Siri): Irani hyn në luftën civile siriane për të mbrojtur Asadin.

  • 2012: Kriza ekonomike thellohet; monedha (Riali) humb 80% të vlerës.

  • 2015 (Marrëveshja Historike): Arrihet pakti bërthamor (JCPOA) me administratën Obama dhe fuqitë botërore. Irani shpreson në fundin e izolimit.

4. Prishja e Paktit dhe Përshkallëzimi (2018–2024)

  • 2018: Donald Trump tërheq SHBA-në nga marrëveshja bërthamore.

  • 2020 (Vrasja e Soleimanit): SHBA vret me dron në Bagdad gjeneralin më të fuqishëm iranian, Qassem Soleimani.

  • 2024 (Viti i Humbjeve):

    • Izraeli bombardon ambasadën iraniane në Damask (Prill).

    • Presidenti Ebrahim Raisi vdes në aksident me helikopter (Maj).

    • Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, vritet në zemër të Teheranit (Korrik).

5. Lufta e Hapur (2025)

  • Qershor 2025: Tensionet shumëvjeçare shpërthejnë në konflikt direkt. Izraeli sulmon Iranin, duke shkaktuar një luftë 12-ditore. Bilanci: 610 iranianë dhe 28 izraelitë të vrarë. Kjo ngjarje shënoi thyerjen përfundimtare të “luftës në hije” mes dy shteteve.

Avatar photo
Albin Hoxha
13 January, 11:06 | Përditësimi: 13 January, 11:06