EVAKUIM I MENJËHERSHËM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE FERRAS, BASHKIA FIER
Në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave, si pasojë e përmbytjeve dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, autoritetet kanë vendosur evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Njësisë Administrative Ferras, Bashkia Fier.
Evakuimi po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut Fier dhe strukturat vendore të Emergjencave Civile. Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin dhe zbatimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara. Transporti i banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) si dhe Forcat e Armatosura.
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për të evakuuarit do të kryhet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, strukturat shëndetësore dhe shërbimet sociale, ku do të garantohet regjistrimi, ushqimi, veshmbathja, ndihma mjekësore dhe informimi i vazhdueshëm mbi situatën.
Njoftimi ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
Për çdo emergjencë, qytetarët të kontaktojnë 112.
