Situata para Kryeministrisë ka degraduar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili u rikthye në shesh për të vijuar protestën pas tensioneve të ditës së diel, ka mbetur i plagosur pas një ndërhyrjeje të dytë të Policisë së Shtetit.
Momenti i goditjes: “I ra bombola Tikut”
Sipas dëshmive nga vendngjarja, policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit që kishin mbetur në shesh pas mesnate. Në kaosin e krijuar, raportohet se Lapaj është goditur në kokë nga një bombol gazi (dyshohet gaz lotsjellës).
Në videot e shpërndara nga mbështetësit dëgjohen thirrjet e alarmit: “I ra bombola Tikut, i ra bombola gazit, thërrisni ambulancën!”
Dërgohet me urgjencë te Trauma
Pas incidentit, Lapaj është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak (Traumës) për të marrë mjekim të specializuar për plagën në kokë. Kjo përplasje vjen pas një dite të tensionuar, ku aktivisti kishte paralajmëruar se nuk do të largohej nga sheshi deri në plotësimin e kërkesave për Qeveri Teknike.
