Pas 45 vitesh “mërgim” në Tiranë, mozaiku më i famshëm i antikitetit shqiptar, “Bukuroshja e Durrësit”, do të rikthehet përfundimisht në qytetin e tij të origjinës.
Një urdhër i Ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, ka zyrtarizuar operacionin delikat për transferimin e kryeveprës nga Muzeu Historik Kombëtar drejt Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Mozaiku tashmë është përgatitur në disa pjesë për transport dhe do të vendoset në hyrje të muzeut të qytetit bregdetar.
Historia e jashtëzakonshme: Nga llogoret e luftës te rizbulimi
Udhëtimi i këtij mozaiku 2,300-vjeçar ngjan me një skenar filmi:
-
1916 (Zbulimi): U gjet rastësisht gjatë Luftës së Parë Botërore nga ushtria austriake që po hapte transhe. Arkeologu Camillo Praschniker e dokumentoi, por më pas u mbulua dhe humbi për 33 vjet.
-
1959 (Rizbulimi): Arkeologu legjendar durrsak, Vangjel Toçi, pas kërkimeve të gjata dhe bisedave me të moshuarit, e rizbuloi në thellësinë 3.8 metra, në themelet e një shtëpie pas teatrit “Aleksandër Moisiu”.
-
1981 (Largimi): U transferua në Tiranë për të qenë pjesë e Muzeut Historik Kombëtar.
Muzeu i Ri Arkeologjik: Një park dhe një shteg turistik
Rikthimi i “Bukuroshes” përkon me rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik (financuar nga EU4Culture), i cili, ndonëse me vonesa, po merr një pamje të re:
-
Ekspozita: Kati i parë (Antikiteti) po sistemohet, ndërsa kati i dytë (Mesjeta) pritet të nisë.
-
Infrastruktura: Oborri është shndërruar në një park arkeologjik.
-
Risia: Po ndërtohet një shteg këmbësorësh që lidh Muzeun me zbulimin e ri të banesës romake (te ish-shkolla “Gjergj Kastrioti”), duke krijuar një itenerar të ri turistik.
Ky rikthim shënon plotësimin e identitetit kulturor të Durrësit, duke e bërë mozaikun simbolin e mirëseardhjes në muzeun e qytetit 3000-vjeçar.
