Kur brilanti vdes i uritur: Tragjedia e Kadri Roshit, pasqyra e një shoqërie të dështuar

Ka artistë që nuk janë thjesht interpretues; ata janë tempuj ndjenjash, pasqyra ku publiku sheh dhe kupton vetveten. I tillë ishte Kadri Roshi. Zëri i tij i papërsëritshëm dhe sytë që flisnin para fjalëve, nuk krijuan thjesht personazhe, por monumente të kujtesës sonë kolektive.

🎧 Dëgjo artikullin në Shqip
Gati për lexim në Shqip

Por, ndërsa ata na falin një pasuri shpirtërore që nuk blihet me para, pyetja që shtrohet sot është tronditëse: Ne, çfarë u japim atyre?

Legjenda që u detyrua të lypte bukë

Një rrëfim i publikuar së fundmi në media ka zbuluar një të vërtetë të hidhur që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Ikona e skenës dhe ekranit shqiptar, në fundin e jetës së tij, është përballur me një varfëri kaq të skajshme, sa është detyruar t’i kërkojë ndihmë një politikani për një copë bukë për gruan e tij.

Si është e mundur që një kolos, i cili meritonte gjithë nderimet e këtij kombi, të katandiset në pikën ku kërkesa e tij e fundit të jetë mbijetesa ushqimore? Kjo nuk është thjesht tragjedia e një individi; është aktakuza më e rëndë për ndërgjegjen tonë shoqërore.

Rendi moral i përmbysur: Politika si filtër i dinjitetit

Rasti i Kadri Roshit nxjerr zbuluar patologjinë e një shoqërie që vuan nga varësia toksike ndaj politikës. Kjo varësi ka shkuar deri në nënshtrim absolut. Sot, çdo gjë – ndihma, mirënjohja, karriera, madje edhe mëshira – duhet të kalojë nga filtri i pushtetit. Është politika ajo që vendos se kush meriton të jetojë me dinjitet dhe kush jo.

Ne jetojmë në një rend moral të përmbysur:

  • Njerëzit me vlera reale, artistët dhe profesionistët, mbyllin sytë në varfëri dhe harresë.

  • Prindërit tanë pensionistë numërojnë qindarkat për të shtyrë muajin.

  • Në krahun tjetër, politikanë pa asnjë meritë dhe rrethi i tyre përfitojnë miliona nga paraja publike, duke rritur rrogat e veta pa pikë turpi dhe pa asnjë lidhje me realitetin social.

Sistemi aktual shpërblen bindjen, servilizmin dhe “pazarxhiun”, ndërsa njeriun me dinjitet e lë të vetmuar në heshtjen e tij.

Shteti “Big Brother” dhe nevoja për zgjim

Një shtet funksional nuk mund të ndërtohet mbi kultin e individit, mbi liderë që nuk shqiten nga ekranet ditë e natë, ngjashëm me “Vëllain e Madh” të Orwell-it. Është mjerim shoqëror që shteti të identifikohet me një fytyrë të vetme. Sa më shumë që shoqëria ia dorëzon fatin e saj një apo dy “shpëtimtarëve”, aq më shumë ata e shpërdorojnë besimin, duke e kthyer shtetin në një bankomat vetëshërbimi për klanin e tyre.

Kadri Roshi, edhe nga përtej varrit, na kujton sa shumë kemi për të bërë. Zgjidhja nuk do të vijë vetëm nga prokurorët apo direktivat e huaja. Ajo kërkon një ndryshim të madh kulturor.

Ky ndryshim fillon kur secili prej nesh refuzon atë “shkathtësinë” epidemike për të qenë në anën e gabuar për pak para më shumë. Do të fillojë kur të vlerësojmë punën e ndershme dhe jetën modeste. Kjo nuk kërkon heronj, por njerëz të thjeshtë që nuk harrojnë se çfarë është e drejtë.

Albin Hoxha
29 December, 11:02 | Përditësimi: 29 December, 11:02