Rishikohet buxheti për herë të 4-t/ Qeveria miraton bonusin 15 mijë lekë për aftësinë e kufizuar dhe ndihmën ekonomike

Qeveria ka miratuar rishikimin e katërt të Buxhetit të Shtetit për këtë vit përmes një Akti Normativ, duke zgjeruar paketën e shpërblimeve të fundvitit për shtresat në nevojë. Ndryshe nga akti i tetorit që u fokusua te pensionistët, ky vendim përfshin kategoritë e tjera sociale.

🎧 Dëgjo artikullin në Shqip
Gati për lexim në Shqip

Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi se do të akordohet një shpërblim në masën 15,000 lekë për personat me aftësi të kufizuar dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike.

“Bëhet fjalë për një mbështetje financiare prej 2.2 miliardë lekësh, nga e cila do të përfitojnë rreth 148 mijë qytetarë, përfshirë familjet në ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe”, deklaroi Malaj.

Fondi 150 milionë euro për reformën e pensioneve

Një tjetër vendim i rëndësishëm ka të bëjë me menaxhimin e fondeve të pashpenzuara nga institucionet shtetërore gjatë vitit 2024. Ministri bëri me dije se këto mjete financiare, në vlerën e 150 milionë eurove, do të transferohen në llogarinë e posaçme të skemës së pensioneve në Bankën e Shqipërisë, për të mbështetur reformën e re që pritet të ndërmerret.

Shtesë për bujqësinë dhe shlyerjen e borxheve të bashkive

Rishikimi i buxhetit ka prekur edhe dy sektorë të tjerë:

  • Bujqësia: Janë alokuar 2 miliardë lekë shtesë për fermerët, të cilat do të shpërndahen përmes skemave mbështetëse.

  • Pushteti Vendor: Janë parashikuar 1.2 miliardë lekë shtesë për bashkitë. Ky fond ka destinacion specifik shlyerjen e detyrimeve të prapambetura (borxheve), duke mbuluar sipas Ministrisë rreth 40% të totalit të këtyre detyrimeve.

Avatar photo
Albin Hoxha
22 December, 12:53 | Përditësimi: 22 December, 12:54