Sipas publikimit më të fundit “Diaspora e Shqipërisë në shifra 2025” nga INSTAT, rreth 1.1 milionë persona të lindur në Shqipëri jetojnë aktualisht në 31 vende të ndryshme europiane. Të dhënat konfirmojnë se diaspora shqiptare vijon të ketë përmasa të mëdha dhe një shpërndarje të gjerë në kontinent, ndonëse dy shtete fqinje mbajnë peshën kryesore.
Italia dhe Greqia, qendra të stabilizimit afatgjatë
Italia dhe Greqia vijojnë të jenë në krye të listës si vendet pritëse me numrin më të lartë të shtetasve shqiptarë dhe rezidentëve të lindur në Shqipëri. Raporti thekson se këto dy shtete nuk janë më thjesht destinacione tranziti apo pune sezonale, por janë kthyer në qendra të stabilizimit afatgjatë. Kjo dëshmohet nga treguesit e lartë të integrimit, numri i lejeve të qëndrimit afatgjata dhe shifrat në rritje të marrjes së shtetësisë nga emigrantët shqiptarë.
Ndryshon struktura e emigrimit: Nga puna te bashkimi familjar
Statistikat e Eurostat për vitin 2024 evidentojnë një ndryshim strukturor në motivet e qëndrimit të shqiptarëve në Bashkimin Europian. Emigrimi ka kaluar nga ai i karakterit të përkohshëm ekonomik drejt një emigrimi të qëndrueshëm familjar.
Struktura e lejeve të qëndrimit paraqitet si më poshtë:
-
47.6% për arsye të bashkimit familjar;
-
29.1% për arsye punësimi;
-
22.4% për arsye të tjera;
-
1% për arsye studimi.
Ky dominim i bashkimit familjar tregon se diaspora shqiptare po thellon rrënjët në vendet pritëse, duke krijuar një fenomen demografik dhe social me ndikim të përhershëm si për Shqipërinë, ashtu edhe për vendet europiane ku komuniteti shqiptar është vendosur prej dekadash.
