Sa u kushton shqiptarëve largimi nga vendi?

Për shumë shqiptarë, emigrimi shpesh përshkruhet si një rrugë shpëtimi ekonomik, por të dhënat më të fundit tregojnë edhe një realitet tjetër. Largimi nga vendi nuk është vetëm një vendim personal apo social, por edhe një barrë financiare e menjëhershme, që shumë familje e përballojnë me sakrifica dhe borxhe.

Sipas raportit të Bankës Botërore dhe INSTAT, bazuar në Anketën e Migracionit 2024, kostoja mesatare për t’u larguar nga Shqipëria arrin rreth 1 100 dollarë amerikanë. Kjo shumë është afërsisht e barabartë me dy paga mesatare neto, duke e bërë emigrimin një “investim” të shtrenjtë për shumicën e familjeve shqiptare.

Shpenzimet përfshijnë kryesisht transportin, por edhe tarifat e vizave, dokumentacionin, kontrollet mjekësore, sigurimet dhe, në disa raste, pagesa për ndërmjetës apo kurse orientimi. Raporti thekson se këto kosto janë rritur për emigrantët e viteve të fundit, për shkak të procedurave gjithnjë e më të formalizuara dhe kufizuese për lëvizjen ndërkombëtare.

Megjithëse shumica e emigrantëve arrijnë ta përballojnë këtë kosto përmes kursimeve personale, një pjesë e konsiderueshme detyrohet të kërkojë ndihmë financiare. Rreth 40% e emigrantëve aktualë deklarojnë se janë mbështetur edhe te familjarët dhe miqtë për të financuar largimin.

Të dhënat tregojnë se 98% e migrantëve të kthyer dhe 92% e emigrantëve aktualë e kanë financuar migrimin kryesisht përmes kursimeve personale. Megjithatë, përballë barrës financiare, jo të gjithë ia dalin pa huamarrje. Rreth 15% e migrantëve raportojnë se kanë marrë borxh për të mbuluar shpenzimet e emigrimit.

Më të ekspozuar ndaj huamarrjes rezultojnë të rinjtë e moshës 15–34 vjeç dhe personat me arsim të lartë. Për këto grupe, përqindja e atyre që marrin borxh shkon mbi 25%, duke treguar se edhe individët që konsiderohen më të përgatitur për tregun ndërkombëtar të punës nisen drejt emigrimit me një barrë financiare mbi shpinë.

Raporti thekson se këto të dhëna i referohen vetëm emigrimit të ligjshëm, ndërsa për largimet e paligjshme kostot mund të jenë shumë herë më të larta, duke e rritur ndjeshëm rrezikun financiar dhe social për individët dhe familjet e tyre.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
17 December, 13:05 | Përditësimi: 17 December, 13:05