Fier – Protestë e punonjësve të “Global Energy” për vonesat e pagave

Screenshot

Rreth 150 punonjës të firmës nënkontraktore të Bankers Petroleum, “Global Energy”, kanë protestuar paraditen e sotme pranë zyrave të kompanisë në qytetin e Fierit, në shenjë pakënaqësie për vonesat në pagesën e pagave.

Punonjësit deklarojnë se prej disa muajsh situata financiare ka qenë problematike, ndërsa muaji nëntor është i pari kur pagat nuk janë ekzekutuar fare. Sipas tyre, shkak për këtë gjendje është pamundësia financiare e kompanisë “Global Energy”, e cila pretendon se Bankers Petroleum nuk ka shlyer detyrimet ndaj saj.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga protestuesit lidhet me vijimësinë e aktivitetit të kompanisë, pas deklaratës zyrtare se Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse në vendburimin e Patos-Marinzës, duke rrezikuar funksionimin normal të punës.

Punonjësit pohojnë se në të njëjtën situatë ndodhen edhe firmat e tjera nënkontraktore dhe paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë reagim nga institucionet përgjegjëse, protestat do të përshkallëzohen. Ata i kanë bërë thirrje edhe qeverisë që të reagojë, duke theksuar se deri më tani, sipas tyre, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për zgjidhjen e problemit.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
16 December, 12:36 | Përditësimi: 16 December, 12:36