PS i hap rrugë opozitës për Avokatin e Popullit, Balla: S’kemi kandidat, do votojmë propozimet tuaja

Mazhoranca socialiste ka vendosur të mos paraqesë asnjë kandidaturë për postin e rëndësishëm të Avokatit të Popullit, duke ia lënë fushën e lirë propozimeve që vijnë nga opozita. Qëndrimi u bë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, në një prononcim për mediat nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Balla theksoi se Partia Socialiste do të presë mbylljen e afatit zyrtar të dorëzimit të kandidaturave për të shqyrtuar emrat dhe përmbushjen e kritereve. Ai nënvizoi se qëllimi është krijimi i një tradite të qëndrueshme parlamentare, ku ky institucion drejtohet nga një figurë e propozuar nga opozita, por që merr edhe votëbesimin e shumicës qeverisëse.

“Në kushtet aktuale, zgjidhja më e mirë është të votojmë një nga kandidaturat e opozitës. Shpresoj që edhe vetë Partia Demokratike t’i mbështesë në Kuvend ata kandidatë për të cilët ka firmosur,” u shpreh Balla, duke konfirmuar vullnetin e PS për të dhënë konsensus.

Avatar photo
Albin Hoxha
2 December, 11:42 | Përditësimi: 2 December, 11:42