Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë një apel të pazakontë drejt Shteteve të Bashkuara, duke i kërkuar të mos vendosin sanksione të reja financiare kundër Serbisë.
Në deklaratën e tij gjatë një vizite në Uzbekistan, Vuçiç theksoi: “U kërkoj partnerëve tanë amerikanë të mos vendosin sanksione dytësore ndaj institucioneve tona financiare. Të na lënë kohë deri në mesin e dhjetorit.”
Duke u përgjigjur sanksioneve të fundit amerikane, Vuçiç deklaroi se ka kuptuar “mesazhin e qartë” nga Washingtoni, por e mbrojti vendimin për të mos shtetëruar aktivet ruse në naftë: “Thashë se nuk jam komunist, nuk jam fashist, nuk kam marrë asgjë nga askush.”
Presidenti serb paralajmëroi për një dimër të vështirë për qytetarët dhe theksoi se çdo përpjekje për të detyruar Serbinë të ndryshojë politikën e saj do të përballet me kundërshtim të fortë.
