Policia franceze ka arrestuar dy persona në lidhje me grabitjen spektakolare të bizhuterive në muzeun e Luvrit, e cila ndodhi të dielën e kaluar. Të dy të dyshuarit, rreth 30 vjeç dhe banues në zonën e Saint-Denis, dyshohet se ishin pjesë e grupit katër anëtarësh që kryen grabitjen. Njëri prej tyre u kap në aeroportin Charles de Gaulle ndërsa përgatitej të udhëtonte drejt Algjerisë.
Sipas hetimeve, grabitësit përdorën një kamion me platformë ngritëse, veshën jelekë të verdhë dhe helmeta dhe hynë në sallën “Apollon” përmes një dritareje, duke vjedhur bizhuteri mbretërore me vlerë të përafërt 88 milionë euro. Ata arritën të largoheshin me dy motorë, duke lënë pas një pjesë të bizhuterive dhe disa objekte të përdorura gjatë grabitjes.
Hetuesit e policisë grumbulluan prova në vendngjarje, përfshirë helmetat, jelekët, dhe mjete prerëse, disa prej të cilave ishin të lagura me benzinë, ndërsa materialet u analizuan në laboratorë kriminalistikë. Autoritetet kanë ngritur një grup special për të ndjekur dhe arrestuar edhe pjesëtarët e tjerë të grupit.
Ngjarja ka shkaktuar një valë shqetësimi në Francë për sigurinë e muzeut më të famshëm në botë. Policia vazhdon hetimet intensive për të rikuperuar bizhuteritë e mbetura dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat e grabitjes.
