Fier, tortuaret pushtuar nga bizneset! Qytetarët revoltohen: Policia bashkiake s’bën asgjë

Trotuaret e Fierit janë kthyer prej kohësh në hapësira private të bizneseve, të cilat i kanë zaptuar për reklamime, tavolina, manekinë apo mallra të ekspozuara. Ajo që dikur ishte hapësirë për kalimtarët, sot është bërë pjesë e aktivitetit tregtar, duke detyruar qytetarët të ecin nëpër rrugë, mes makinave.

Ankesat janë të shumta, por institucionet përgjegjëse vazhdojnë të heshtin. Qytetarët shprehen të revoltuar duke thënë se situata është bërë e papranueshme dhe se policia bashkiake e Fierit nuk po funksionon.

“Çdo metër sheh një punonjës të policisë bashkiake, por asnjëri nuk ndërhyn. Marrin rrogën nga taksat tona dhe rrinë si spektatorë, ndërsa qyteti po mbytet nga kaosi”, shprehen banorët.

Bizneset, pa asnjë leje të dukshme, vendosin reklama, pankarta dhe produkte në trotuare, duke penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe duke shkelur rregullat bazë të hapësirës publike.

Megjithëse problematika është bërë e përditshme, Bashkia Fier dhe Policia Bashkiake nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për lirimin e hapësirave publike. Për shumë banorë, kjo është dëshmi e mungesës së kontrollit dhe abuzimit me detyrën nga institucionet që duhet të mbrojnë interesin qytetar.

“Ky nuk është qytet evropian, por një treg në mes të rrugës. Po të flasësh, askush s’të dëgjon”, shprehen qytetarë të irrituar, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rikthimin e rendit dhe respektimin e ligjit në hapësirat publike të Fierit.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
18 Tetor, 11:16 | Përditësimi: 18 Tetor, 11:16