
Policia e Shtetit ka nderuar me Certifikata për Shërbime të Dalluara gjashtë efektivë të DVP Shkodër, të cilët reaguan me vendosmëri, shpejtësi dhe guxim, duke bërë të mundur kapjen e autorit të ngjarjes së rëndë të ndodhur më 8 shtator, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër.
Në një ceremoni të posaçme të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Ilir Proda, iu dorëzoi certifikatat punonjësve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër – Inspektor Samet Qotaj, Inspektor Arlind Mehmeti, Inspektor Rigers Sekja dhe Inspektor Kristi Koçeku, si dhe punonjësve të Seksionit të Rendit Publik të Komisariatit të Policisë Shkodër – Inspektor Izmir Lamkollari dhe Inspektor Xhuljo Hafëzi.
Në ceremoni morën pjesë gjithashtu Drejtori i Policisë së Shkodrës, Drejtues Gentian Berberi, dhe drejtues të lartë të strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda vlerësoi profesionalizmin dhe guximin e efektivëve, duke theksuar se ata “vepruan me përgjegjësi në një situatë me rrezik të lartë dhe treguan se në Policinë e Shtetit ka burra e gra që nuk kursejnë as jetën për të mbrojtur qytetarët”.
“Ky vlerësim është shenjë mirënjohjeje dhe respekti për ta, por edhe për çdo punonjës policie që çdo ditë, me përkushtim e sakrificë, mbron jetën, rendin dhe sigurinë publike. Çdo veprim i ndershëm, çdo akt guximi në shërbim, nuk kalon pa u vlerësuar,” – theksoi Proda.
Ai shtoi se Policia e Shtetit po zhvillon me sukses operacione të rëndësishme kundër grupeve kriminale dhe individëve me rrezikshmëri të lartë, duke theksuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë që ka çuar në arrestime dhe ekstradime nga Dubai, Kolumbia dhe vende të BE-së, si dhe në sekuestrime të armëve dhe drogave.
Në fund të ceremonisë, Inspektor Kristi Koçeku shprehu falënderime në emër të kolegëve të tij për vlerësimin, duke theksuar se ky nderim “nuk është vetëm personal, por për gjithë strukturën e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ të DVP Shkodër”. Ai shtoi se ky vlerësim është një motivim i madh për të vazhduar punën me përkushtim dhe për të qenë gjithnjë më pranë qytetarëve.