Tragjedi në Indonezi/ Mbytet trageti me 65 persona në bord, 4 të vdekur, 29 të shpëtuar

Një aksident detar tragjik ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje në Indonezi, ku një traget me 65 persona në bord është përmbysur gjatë rrugës nga porti i Ketapang drejt ishullit turistik të Balit, duke lënë të paktën katër viktima të konfirmuara dhe 29 të mbijetuar, sipas autoriteteve të shpëtimit.

Trageti ishte nisur drejt portit Gilimanuk në Bali – një rrugë detare e shkurtër prej rreth 50 kilometrash, kur u përmbys rreth orës 23:20, vetëm gjysmë ore pas nisjes.

Sipas hetimeve paraprake, një rrjedhje në dhomën e motorit dyshohet të ketë shkaktuar mbytjen. Në bord ndodheshin 53 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, por ende nuk është bërë e ditur nëse ka persona të huaj mes tyre.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë edhe këtë të enjte, me angazhimin e nëntë mjeteve detare, përfshirë rimorkiatorë, anije të fryra dhe ndihmën e peshkatarëve lokalë. Ekipet po përpiqen të lokalizojnë të mbijetuarit e mundshëm dhe trupat e të zhdukurve.

Tragjedia ka tronditur vendin, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla.