Anija “Oriku” përfaqëson Shqipërinë në stërvitjen ushtarake rajonale “ADRION LIVEX 25” në Mal të Zi

Shqipëria ka shënuar një tjetër pjesëmarrje të rëndësishme në manovrat ushtarake rajonale, duke treguar angazhimin e saj për sigurinë dhe bashkëpunimin në Adriatik dhe Jon. Anija patrulluese “Oriku” e Forcës Detare shqiptare ka marrë pjesë në stërvitjen e përbashkët ushtarake “ADRION LIVEX 25”, e zhvilluar sot në ujërat territoriale të Malit të Zi.

Në këtë stërvitje, morën pjesë forcat detare të gjashtë vendeve të rajonit të Adriatikut dhe Jonit, ku janë përfshirë manovra taktike, operacione të kërkim-shpëtimit dhe testime të kapaciteteve të bashkëpunimit ndërkombëtar detar.

Ministria e Mbrojtjes shqiptare ka ndarë në rrjetet sociale foto dhe detaje nga stërvitja, duke nënvizuar rolin aktiv të Shqipërisë në ruajtjen e sigurisë detare dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

“Mirëmëngjes nga deti Adriatik, ku Anija ‘Oriku’ mori pjesë në stërvitjen rajonale ‘ADRION LIVEX 25’ në Mal të Zi, së bashku me forcat detare të gjashtë vendeve të Adriatikut dhe Jonit”, thuhet në postimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes.

Pjesëmarrja në “ADRION LIVEX 25” vjen si pjesë e angazhimeve të rregullta të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal për paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajonin euro-adriatik