
Një konflikt i çastit për dritat e makinave dyshohet se u bë shkak i vrasjes së biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, i cili mbeti i vrarë nga një person ende i paidentifikuar, mëngjesin e së shtunës në zonën e Salarisë, në Tepelenë.
Kjo e dhënë ka dalë nga deklarimet e tre miqve të biznesmenit, që së bashku me të kishin dalë për gjah me dy makina fuoristradë, kur janë përballur me vrasësin në vendin ku u regjistrua ngjarja.
Burime pranë grupit hetimor i thanë se fillimisht autori, i cili dyshohet se ka qenë i vetëm me makinën e tij, ka debatuar verbalisht me viktimën dhe miqtë e tij, e më pas situata ka përshkallëzuar.
Nga sa mësohet, autori ka qëlluar tre herë nga distanca, ku një prej plumbave ka kapur biznesmenin në këmbë, duke i çarë arterien kryesore, çka i solli më pas vdekjen.
Policia dhe prokuroria dyshojnë se vrasësi ka qëlluar pasi edhe nga pala tjetër ka pasur reagim, por edhe për vetë faktin se biznesmeni italian Edoardo Sarchi dhe miqtë e tij kanë qenë të pajisur me armë gjahu.
Për identifikimin e autorit, policia ka shpallur në kërkim disa persona, të cilët do të pyeten për ngjarjen, pasi ka dyshime se mund të kenë dijeni. Mes tyre mësohet se është edhe vrasësi.
Ky i fundit dyshohet se pas krimit të rëndë është larguar në drejtim të Tepelenës. Edoardo Sarchi, 44 vjeç, prej vitesh ishte zhvendosur në Shqipëri, ku kishte edhe biznesin e tij, një kompani për prodhimin e tullave, me seli në Tiranë. Viktima ishte i apasionuar pas gjuetisë dhe shpesh herë dilte për ta ushtruar atë së bashku me miqtë e tij.