
Ka nisur sot zyrtarisht vulosja e fletëve të votimit të diasporës për 12 qarqet e Shqipërisë. Procesi konsiston në vulosjen dhe vendosjen e fletës brenda zarfit A, ose zarfit të pare.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u shpreh se procesi pritet të mbyllet brenda javës që më pas të nisë edhe shpërndarja e saj.
“Me shumë mundësi nesër deri nga mesnata do përfundojë vulosja e fletëve të votimit, pastaj të vazhdojmë me futjen e zarfit A tek zarfi B dhe më pas të zarfi i operatorit të shërbimit postar. Nëse përfundojmë këtë, procesin e përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor do të fillojmë edhe procesin e dërgimit dhe shpërndarjes për atë që sasi kemi bërë gati. S’do presim ta bëjmë gati komplet sasinë, por pjesë-pjesë sipas destinacionit”, tha Celibashi.
Sipas procedurës së dakodësuar, postieri do të vijë deri në 3 herë në adresën e dhënë në ditë dhe orare të ndryshme.
“Do shkojë herën e parë dhe nëse nuk e gjejnë në banesë, do i lërë një shënim që ‘erdha nuk iu gjeta’ dhe do i lërë orarin kur postieri mendon se do shkojë herën e dytë, do i lërë një shënim edhe për herën e tretë dhe nëse nuk përputhen sërish oraret, do i lihet një shënim duke i thënë që dokumentacioni zgjedhor i dërguar nga KQZ gjendet në zyrën postare numër kaq dhe mund të vini ta tërhiqni zarfin. Nëse deri në datën 3 maj, ende se kemi vendosur, sepse duhet të llogarisim dhe kohën që duhet për tu kthyer zarfi mbrapsht në Shqipëri, do duhen 4 ose 5 ditë për ta kthyer mbrapsht, po shohim mundësinë që ata ta mbajnë deri në datën 3 ose 4”, tha Celibashi.
Por si duhet të veprojë votuesi në momentin kur zarfi mbërrin ne dorën e tij dhe nënshkruan votën në subjektin përkatës?
“Në momentin që përfundon procesi i votimit, e fut fletën e votimit te zarfi A, zarfin A te zarfi B dhe më pas zarfin B te zarfi i postës. Në momentin që përfundon votën dhe e ka organizuar dokumentacionin, telefonon postën, në zarf do jenë numrat. S’ka nevojë të dalë votuesi nga shtëpia, merr në telefon postierin dhe i thotë jam gati eja merre fletën e votimit”, tha Celiabshi.
Pavarësisht se votuesi mund ta ketë nisur zarfin me postë, ka një rast kur vota mund të mos konsiderohet.
“Çdo zarf që ka në vulën e hyrjes në momentin që futet në Shqipëri ka një orë dhe datë mbas 11 majit 19:00 nuk i nënshtrohet procesit të vlerësimit dhe numërimit. Duhet që çdo zarf të mbërrijë para datës 11 maj, ora 19:00”, tha kreu i KQZ.
Së bashku me zarfin që përmban fletën e votimit, KQZ ka përfshirë një udhëzues se si duhet të veproni si dhe një numërator, që ka kontaktet e postës për secilin shtet.