Vlorë/Policia vijon me intensitet operacionin policor të koduar “Plazhi i lirë”, për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjektet private gjatë sezonit turistik.
Në kuadër të këtij operacioni, në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, konstatuan një rast zaptimi të tokës publike. Administratori i një restoranti, shtetasi G. I., 62 vjeç, banues në Orikum, kishte zënë pa leje një sipërfaqe prej 300 m² në vijën bregdetare, ku kishte vendosur çadra, shezlongë dhe tavolina plazhi.
Pas verifikimeve, ndaj tij është nisur procedimi penal për veprën “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës njofton se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vijën bregdetare, për të garantuar një sezon turistik të qetë dhe të drejtë për të gjithë pushuesit dhe operatorët që respektojnë ligjin
