Abuzime me certifikatat e pronësisë në Zyrën e Kadastrës Fier – qytetarët denoncojnë në redaksinë e StarChannel

Redaksia e StarChannel ka marrë një sërë ankesash nga qytetarë të Fierit, të cilët denoncojnë abuzime serioze në procesin e pajisjes me certifikata pronësie pranë Zyrës Vendore të Kadastrës në këtë qytet.

Sipas qytetarëve, vonesat e pajustifikuara, kërkesat për pagesa nën dorë dhe selektiviteti në trajtimin e aplikimeve janë kthyer në një praktikë të zakonshme, duke ngritur dyshime për një skemë të mirëorganizuar abuzimi brenda institucionit.

“Na kërkohet të paguajmë për të drejtën tonë. Dosjet mbahen pezull me muaj, ndërsa të tjerë i marrin dokumentet në pak ditë, mjafton të kenë ‘dikë brenda’ ose të paguajnë,” – shprehet një qytetar, i cili iu drejtua redaksisë sonë duke kërkuar të mbetet anonim për arsye sigurie.

Denoncimet e qytetarëve hedhin dritë mbi një problem të thellë institucional, që dëmton drejtpërdrejt qytetarët dhe cenon të drejtën e pronës në mënyrë të hapur. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse, përfshirë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe organet ligjzbatuese.

Redaksia e StarChannel i bën thirrje autoriteteve të hetojnë me seriozitet këto denoncime dhe të vendosin para drejtësisë çdo zyrtar të përfshirë në afera korruptive. Pronësia është një e drejtë themelore, dhe çdo përpjekje për ta kthyer atë në burim fitimi të paligjshëm përmes pengesave burokratike, duhet ndalur menjëherë.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
4 April, 15:48 | Përditësimi: 4 April, 15:48