Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë të huaj jo vetëm si turistë, por edhe si banorë dhe investitorë në pasuri të paluajtshme, duke shënuar një rritje të qëndrueshme të këtij fenomeni vitet e fundit.
Sipas të dhënave më të fundit, në fund të vitit 2024 në vend numëroheshin rreth 22 mijë shtetas të huaj me leje qëndrimi, një shifër ende modeste krahasuar me vendet e tjera të Europës, por në rritje të vazhdueshme. Aplikimet për leje qëndrimi janë rritur me 6% në raport me një vit më parë.
Grupet më të mëdha të të huajve që jetojnë në Shqipëri vijnë nga Kosova dhe Italia, ndërsa pas tyre renditen Turqia, India dhe Filipinet. Ndërkohë, mbi gjysmën e lejeve të qëndrimit, rreth 54.3%, lidhen drejtpërdrejt me punësimin, kryesisht në sektorë si ndërtimi, mikpritja dhe shërbimet.
Sipas një studimi të Investropa, emigrantët nga rajoni tërhiqen nga lidhjet familjare dhe mundësitë për biznes, ndërsa ata nga Azia vijnë kryesisht për punë përmes kontratave të sponsorizuara. Paralelisht, po rritet interesi edhe nga nomadët dixhitalë, pensionistët dhe sipërmarrësit e huaj, të joshur nga kostoja relativisht e ulët e jetesës dhe politikat lehtësuese të vizave.
Në tregun e pasurive të paluajtshme, kërkesa nga të huajt po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Zonat më të preferuara për investim mbeten Tirana qendrore, veçanërisht Blloku dhe Komuna e Parisit, si dhe bregdeti shqiptar, duke përfshirë Sarandën, Vlorën, Durrësin dhe Rivierën me Himarën, Dhërmiun e Ksamilin.
Të dhënat tregojnë se rreth 61% e blerësve të huaj të pronave janë shtetas të Bashkimit Evropian. Një prani e konsiderueshme vihet re edhe nga qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilët përfitojnë nga fleksibiliteti i qëndrimit dhe mundësitë për menaxhimin e pronave.
Edhe pse në krahasim me vendet fqinje si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia rritja mbetet e moderuar, Shqipëria po konsolidohet gradualisht si një destinacion tërheqës për të huajt që kërkojnë të jetojnë, punojnë dhe investojnë.
