PARIS – Në një mbrëmje solemne ku miqësia dhe kultura e lartë u bënë njësh, Parisi nderoi dje gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, në 90-vjetorin e lindjes së tij. Akademia e Shkencave Morale dhe Politike, së bashku me Akademinë Franceze, organizuan një homazh prekës në Institutin e Francës, aty ku, siç u shpreh vajza e shkrimtarit, Besiana Kadare, “mendimi punohet në afat të gjatë dhe veprat dialogojnë me kohën”.
E pranishme për të folur në emër të familjes, Besiana Kadare ndau me të pranishmit – mes të cilëve figura të shquara si Jacques Attali, Angelin Preljocaj e Tedi Papavrami – një reflektim të thellë mbi atë që mbetet pas largimit fizik të shkrimtarit.
“Ai nuk më përkiste mua, por gjuhës” Në fjalën e saj emocionuese, Besiana rrëfeu rritjen e saj nën hijen e një babai që jetonte mes dorëshkrimeve dhe heshtjeve të dendura. “Për një kohë të gjatë kam besuar se babai im më përkiste vetëm mua. Më vonë kuptova se ai i përkiste gjuhës. Një populli të tërë,” – tha ajo, duke theksuar se boshllëku i lënë pas tij nuk është heshtje, por është “i banuar” nga mendimi dhe vepra që tashmë ka migruar te lexuesi.
Franca si strehë e lirisë dhe mirënjohja për Claude Durand Një moment kyç i fjalimit ishte homazhi për Francën si “atdheu i dytë”, vendi që në vitin 1990 i ofroi Kadaresë jo thjesht strehë politike, por hapësirën jetike të lirisë për të shkruar pa censurë. Ajo kujtoi me mirënjohje botuesin Claude Durand, mbështetja e të cilit ishte vendimtare për rrugëtimin e Kadaresë drejt njohjes si shkrimtar madhor evropian.
Jehona e shqipes në tempullin francez Përtej fjalimeve zyrtare, mbrëmja u shënua nga tingulli i gjuhës shqipe. Aktorët Simon Pitaqaj dhe Aphrodite de Lorraine recituan fragmente nga “Prilli i thyer” dhe “Ura me tri harqe”. “Të dëgjoje gjuhën shqipe të jehonte në këtë tempull të kulturës franceze kishte një domethënie krejt të veçantë,” – u shpreh Besiana.
Trashëgimia: Një “kurbë” kundër totalitarizmit Duke analizuar thelbin e veprës së babait të saj, Besiana theksoi se Kadare u dha shqiptarëve një “bosht mendimi” për të qëndruar në këmbë pa iluzione. “Vepra e tij përbën një rezistencë këmbëngulëse kundër frikës, kundër falsifikimit të realitetit, kundër përbindëshit totalitar… Ai iu dha historisë dhe miteve të shqiptarëve një përmasë që i tejkalon ata,” – përfundoi ajo, duke falënderuar në emër të nënës së saj, Elena, dhe gjithë familjes Kadare, miqtë besnikë që e shoqëruan shkrimtarin deri në fund.
