SPAK zhbllokon llogaritë e kompanisë së investitorëve nga Katari në Zvërnec, vijojnë hetimet për pronat

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhbllokuar llogaritë bankare të kompanisë nga Katari e angazhuar në projektin turistik të Zvërnecit, vetëm 24 orë pasi ato u bllokuan në kuadër të një hetimi për dyshime mbi tjetërsimin e pronave në zonë.

Sipas informacioneve, llogaritë i përkasin kompanisë së vëllezërve miliarderë Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat. Raportohet se vendimi për zhbllokimin është marrë për të shmangur një përballje të mundshme në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ndërsa hetimet për ligjshmërinë e pronësisë së tokave vijojnë.

Ky zhvillim vjen pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, i cili i kërkoi SPAK-ut të mos pengojë investitorët e huaj përmes bllokimeve financiare, por të vazhdojë verifikimet mbi çështjet e pronësisë.

Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka sekuestruar llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”. Gjithashtu, agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontroll ndaj administratorit Redi Struga, si pjesë e veprimeve hetimore që lidhen me këtë dosje.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
3 June, 17:42 | Përditësimi: 3 June, 17:42