STRASBURG – Ajo që u trumbetua si thyerja e madhe e izolimit ndërkombëtar, përfundoi si një episod që rrezikon t’i kushtojë shtrenjtë Partisë Demokratike. Prezenca e Sali Berishës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (KiE), e pashoqëruar me ftesë zyrtare dhe e karakterizuar nga incidente protokollare, ka ekspozuar opozitën shqiptare përballë një situate të vështirë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
Nga “Lideri Europian” te fjalimet në korridor Strategjia e komunikimit të PD-së u përpoq të ndërtonte narrativën e një lideri të mirëpritur në zemër të institucioneve europiane. Por, faktet vizuale treguan një realitet tjetër. Pamjet e Berishës duke folur në korridore, i filmuar me celular nga deputetja Albana Vokshi, krijuan kontrast të fortë me mungesën e takimeve zyrtare të nivelit të lartë. Më e rëndë ishte skena brenda sallës plenare: Berisha, i ulur në vendin e destinuar për anëtaren zyrtare të delegacionit (Vokshi), e cila qëndronte në këmbë, tentoi të merrte fjalën. Reagimi i drejtuesve të seancës ishte i prerë: ndërprerja e menjëhershme e mikrofonit për shkak të daljes jashtë teme. Kjo dëshmoi se “fjalimet” e shpërndara në Tiranë ishin më shumë monologje për konsum të brendshëm sesa diskutime reale në KiE.
Dëmi kolateral për Opozitën Historikisht, PD ka qenë e përfaqësuar denjësisht në këtë institucion përmes deputetëve të saj, jo kryetarëve. Këmbëngulja për të imponuar prezencën e Berishës – i cili gjendet nën sanksione ndërkombëtare dhe procese gjyqësore – ka zhvendosur vëmendjen nga kauzat reale të opozitës te problemet personale të liderit të saj. Në një kohë kur vendi zien nga debatet mbi korrupsionin dhe kur SPAK po godet nivelet e larta të pushtetit, PD kishte nevojë jetike për një “arbitër” ndërkombëtar. Sjellja në Strasburg bëri të kundërtën: e bëri opozitën të duket joserioze dhe e izoluar, duke i hequr mundësinë për të pasur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar si aleat në betejën e brendshme politike.
Pyetja që kërkon përgjigje Heshtja e strukturave të PD-së dhe mbështetësve përballë këtyre pamjeve “me zë dhe figurë” është simptomë e një krize më të thellë se ajo e lidershipit. Ajo është krizë e realitetit. Pyetja që ngrihet natyrshëm pas kësaj vizite nuk është më “çfarë po bën qeveria”, por “kush dhe pse e katandisi opozitën në pikën ku duhet të sajojë realitete paralele në korridoret e Europës për të mbijetuar politikisht?”.
