Gjykata e Fierit: Rritje e ndjeshme e çështjeve penale dhe alarm për dhunën në familje

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier zhvilloi analizën vjetore për vitin 2025, ku u evidentuan sfidat dhe problematikat kryesore të sistemit gjyqësor në këtë qark.

Në takim morën pjesë drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe rendit, ndërsa kryetari i gjykatës, Noel Veizi, theksoi se viti ka qenë i vështirë për shkak të mungesës së stafit dhe kushteve të papërshtatshme infrastrukturore.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje prej 71.5% e çështjeve penale, me një theks të veçantë te rastet e dhunës në familje, të cilat kanë arritur nivelet më të larta të pesë viteve të fundit.

Gjykata mbulon një territor me 6 bashki dhe mbi 240 mijë banorë, ndërsa numri i çështjeve të mbartura vijon të mbetet i lartë.

Problem mbetet edhe mungesa e ambienteve dhe sallave gjyqësore, çështje që prej vitesh ka hapur debat për nevojën e ndërtimit të një godine të re për gjykatën e Fierit.

Gjatë vitit që lamë pas, janë regjistruar gjithsej 10,764 çështje për gjykim, janë shqyrtuar 5,677 prej tyre, ndërsa janë dënuar 971 shtetas, mes të cilëve edhe 17 të mitur.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
4 May, 15:15 | Përditësimi: 4 May, 15:15