Policia e Durrësit ka marrë masa për largimin e familjes së drejtuesit të automjetit të përfshirë në aksidentin e rëndë ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të situatës dhe hakmarrje nga palët.
Sipas njoftimit zyrtar, drejtuesi i automjetit është larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes pas aksidentit, me pretendimin se ka pasur frikë nga reagimi i qytetarëve, por më pas është konstatuar dhe shoqëruar nga patrullat e Policisë në komisariat, ku edhe është arrestuar.
Hetimet paraprake dyshojnë se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit në gjendje të dehur.
Nga verifikimet rezulton gjithashtu se shoferi ka një historik shkeljesh të mëparshme të Kodit Rrugor, përfshirë parakalim të gabuar në vitin 2020 dhe dy raste të tejkalimit të shpejtësisë në vitin 2022, për të cilat i ishte pezulluar leja e drejtimit.
Ngjarja ka sjellë reagime dhe masa të menjëhershme nga Policia e Shtetit, e cila pezulloi disa drejtues të Policisë së Durrësit për performancë të dobët dhe hapi një hetim disiplinor për të verifikuar përgjegjësitë institucionale në menaxhimin e rasteve të mëparshme.
Ndërkohë, në lagjen nr. 15 të qytetit, ku ndodhi aksidenti, situata mbetet e ndjeshme, ndërsa familjet e viktimave po marrin ngushëllime nga qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve.
