Projektligji i ri/ Shteti do të shesë në ankand kriptomonedhat e krimit, shkurtohen procedurat për asetet e tjera

Qeveria shqiptare synon të përshtasë luftën kundër pasurive të krimit me realitetin e ri digjital, si dhe të rrisë efiçencën në administrimin e aseteve të bllokuara. Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, i cili sjell dy risi thelbësore: njohjen dhe shitjen e monedhave virtuale, si dhe përshpejtimin e procedurave të shitjes së pronave fizike.

🎧 Dëgjo artikullin në Shqip
Gati për lexim në Shqip

Kriptomonedhat nën administrim shtetëror

Për herë të parë, kuadri ligjor shqiptar do të trajtojë në mënyrë eksplicite monedhat virtuale si pasuri që mund t’i nënshtrohen jo vetëm sekuestrimit, por edhe administrimit dhe shitjes nga shteti.

Projektligji synon të mbushë boshllëqet ligjore që kanë vështirësuar punën e institucioneve deri më tani, kur përballeshin me portofole digjitale të sekuestruara nga grupet kriminale. Rregullat specifike teknike për mënyrën se si do të ruhen dhe tjetërsohen (shiten) këto asete digjitale, pritet të detajohen më tej përmes akteve nënligjore të Këshillit të Ministrave.

Shitje e shpejtë për të shmangur zhvlerësimin

Shtylla e dytë e ndryshimeve lidhet me aspektin procedurial të aseteve konvencionale (makina, pasuri të paluajtshme, biznese). Qeveria argumenton se procedurat aktuale burokratike janë të tejzgjatura, çka sjell amortizimin dhe zhvlerësimin e pasurive gjatë kohës që ato qëndrojnë të bllokuara.

Projektligji i ri parashikon shkurtimin e ndjeshëm të afateve të shitjes nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Qëllimi është që këto pasuri të kthehen në vlerë monetare sa më shpejt, duke maksimizuar kështu të ardhurat për buxhetin e shtetit.

Impakti financiar

Sipas relacionit shoqërues, këto ndryshime nuk kanë vetëm karakter penal, por edhe fiskal. Përshpejtimi i shitjes pritet të rrisë fondet që shkojnë për shërbime sociale dhe mbështetje institucionale. Gjithashtu, parashikohet një mekanizëm më i fortë bashkëpunimi mes organeve të drejtësisë, pushtetit vendor dhe agjencive administrative për të eliminuar ngërçet burokratike që zvarrisin procesin e konfiskimit.

Projektligji aktualisht ndodhet në fazën e konsultimit publik dhe pas reflektimit të sugjerimeve, do t’i dërgohet Kuvendit për miratim.

Avatar photo
Albin Hoxha
22 December, 12:52 | Përditësimi: 22 December, 12:52