Ndotja e lumit Gjanica në Fier, qytetarët revoltë: “Era e keqe e pa përballueshme, nuk dalim dot në shëtitje”

Ndotja e lumit Gjanica në Fier është kthyer në një shqetësim serioz për banorët e zonës, të cilët ankohen për erë të rëndë, ujëra të zeza dhe papastërti që e bëjnë të pamundur qarkullimin dhe shëtitjet përgjatë bregut të lumit.

Qytetarët shprehen se investimet e kryera nga bashkia dhe ndërmarrja e pastrimit/ gjelbërimit duket se kanë dështuar, pasi situata është bërë e padurueshme: “Pse u bë gjithë ky investim, kur era e keqe është më e fortë se çdo masë e marrë? Nuk mund të dalim dot në shëtitje, është e pa përballueshme”, thonë banorët.

Ndotja përveç ndikimit negativ në jetën e përditshme, rrezikon edhe shëndetin publik, pasi ujërat e zeza që derdhen në lumë mund të përmbajnë baktere dhe kimikate të dëmshme.

Pavarësisht ankimeve të shumta dhe denoncimeve të vazhdueshme në media dhe rrjetet sociale, autoritetet lokale nuk kanë dhënë një përgjigje konkrete, ndërkohë që qytetarët presin zgjidhje reale dhe masa efektive për të parandaluar ndotjen e mëtejshme.

Ekspertët ambientalistë paralajmërojnë se nëse nuk ndërhyhet urgjentisht, lumit Gjanica mund t’i rrezikohet ekosistemi dhe banorët do të detyrohen të shmangin këtë zonë, duke humbur edhe një hapësirë të rëndësishme publike dhe rekreative në Fier.

Ky rast tregon një mungesë serioze përgjegjësie nga institucionet, duke ngritur pyetje mbi efektivitetin e investimeve publike në trajtimin e mbetjeve dhe menaxhimin e mjedisit.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
18 Tetor, 13:21 | Përditësimi: 18 Tetor, 13:21