Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 64”, duke vënë në pranga dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në Divjakë u arrestuan vëllezërit Roland Metushi (47 vjeç) dhe Saimir Metushi (45 vjeç), të cilët ishin dënuar nga Gjykata e Novarës në Itali, respektivisht me 5 dhe 7 vite burg për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Materialet procedurale mbi arrestimin e tyre u referuan në Prokurorinë e Fierit, ndërsa Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po ndjek procedurat për ekstradimin e tyre drejt Italisë.
Policia e Shtetit thekson se operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar do të vijojnë intensivisht.
