Berisha: Nuk i njohim kurrë zgjedhjet-Opozita dhe shqiptarët të ngrihen kundër farsës së 11 majit”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikonfirmuar sot mosnjohjen e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, duke i quajtur ato një “farsë elektorale” dhe një “krim i rëndë kundër demokracisë”.

Në një deklaratë të ashpër për mediat nga selia blu, Berisha paralajmëroi një betëjë pa kthim për rikthimin e votës së lirë, duke thënë se opozita është e gatshme për çdo përballje.

Berisha lëshoi një thirrje të drejtpërdrejtë kundër çdo akti që mund të legjitimojë rezultatin e 11 majit:

“Çdo opozitar, çdo shqiptar që mendon se këto zgjedhje mund të tolerohen, bëhet bashkëpunëtor në këtë megakrim elektoral, dhe shkelmon mbi idealet e veta të lirisë dhe votës së lirë”.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Po afrohet momenti kur, PD do të marrë vendimet përkatëse.
Një gjë është e sigurt që, PD këto zgjedhje nuk do t’i njohë kurrë.
Unë të kuptoj, por të imagjinosh për një moment të njohësh këto zgjedhje, do të thotë të bëhesh bashkëautor në krim, në krimin më të madh elektoral në historinë e Shqipërisë pas 1946.
Pas zgjedhjeve pluraliste të vitit 1946 të cilat patën një fat të ngjashëm, por në atë kohë kishim të bënim me diktaturë totalitare, e cila kishte zero tolerancë ndaj pluralizmit, kurse tani kemi të bëjmë me një diktaturë autoritare, e cila e pranon pluralizmin duke e shtypur atë, siç e shihni.
Pra, unë deklaroj këtu se çdo shqiptar, çdo opozitar, që mendon se mund të tolerohen këto zgjedhje bëhet bashkautor në këtë megakrim elektoral dhe shkelmon mbi idealet e tij të lirisë, të votës së lirë.
Kam besim se, shqiptarët do t’i përgjigjen në mënyrën më të fuqishme kësaj farse që Edi Rama më 11 maj.
Edhe njëherë theksoj: mjaftojnë këto të dhëna, të cilat faktojnë më mënyrën më absolute angazhimin total të administratës në interes të partisë së krimit, faktojnë ekzistencën e partisë shtet, për të dëshmuar se, këtu nuk kishte zgjedhje, por kishte farsë.
U përket shqiptarëve dhe opozitës, të ngrihen me gjithë fuqinë e tyre, të gatshëm për çdolloj, me vendosmëri për çdo betejë për rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë….

PD do ta bëjë këtë betejë kudo, kudo…kudo! Është betejë për jetën ose vdekjen e votës së lirë.