Rama i prerë për hapësirat publike: “Fund ferrave e xhamave në trotuare, në fund të gjitha do ikin!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes rrjeteve sociale lidhur me aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, duke e konsideruar këtë një “çlirim të madh” për qytetet, komunitetin dhe sidomos për këmbësorët.

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit,” shkruan Rama në një postim në Facebook.

Duke paralajmëruar masat që do të merren ndaj shkelësve, ai thekson se ndërtimet pa leje që ende nuk janë hequr do të përballen me gjoba të rënda. “Ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin, po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar,” thekson kreu i qeverisë.

Ky reagim vjen në kuadër të operacionit të shtrirë në të gjitha bashkitë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara pa leje, sidomos në zonat me fluks të lartë turistik, ku mbingarkesa në hapësirat publike ka ndikuar negativisht në qarkullim dhe në cilësinë e jetës urbane.

Aksioni po mbështetet nga strukturat e policisë dhe inspektoriatet bashkiake, ndërkohë që qytetarë në disa qytete, përfshirë edhe Shkodrën, e kanë përshëndetur si një nismë të drejtë, ndonëse të vonuar.