Zënë plazhin e Gjipesë me çadra pa leje, procedohen 4 persona – Policia sekuestron 131 çadra dhe 268 shezlongë

Screenshot

– Vijon operacioni policor i koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike në zonat bregdetare dhe kontrollin e subjekteve private që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, Forcat e Kufirit, FNSH-në dhe Forcat Detare, ndërhynë nga deti në Gjirin e Gjipesë, ku konstatuan zënie të paligjshme të territorit publik në plazh.

Katër shtetas, A. Z., B. Sh., G. S. dhe M. Sh., kishin zënë sipërfaqe publike nga 300 deri në 500 m² secili, ku kishin vendosur çadra dhe shezlongë, pa leje dhe pa dokumentacion ligjor apo NIPT për ushtrimin e aktivitetit tregtar.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u nis procedimi penal ndaj tyre për veprat penale:

  • “Pushtimi i tokës”, neni 200 i Kodit Penal
  • “Fshehja e të ardhurave”, neni 180 i Kodit Penal

Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi 131 çadra dhe 268 shezlongë, të cilat u transportuan nga Forca Detare me mjete lundruese, për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes nga toka.

Policia e Shtetit thekson se operacioni “Plazhi i lirë” do të vijojë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit veror në të gjithë vijën bregdetare, me synim garantimin e hapësirave të lira publike për pushuesit dhe verifikimin e rregullsisë ligjore të çdo subjekti që ushtron aktivitet tregtar në zonat turistike.