
Tiranë – Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka publikuar bilancin e zjarreve të 24 orëve të fundit, ku raportohen 9 vatra aktive në pesë bashki: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha vatrat janë neutralizuar me sukses, pa dëme në njerëz apo gjënë e gjallë në pjesën më të madhe të rasteve. Në 6 raste, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me barishte dhe shkurre, duke djegur rreth 0.5 hektarë.
Më problematike ishin dy raste ku zjarri ra në banesa:
- Një në lagjen nr. 5 në Kavajë, me dëme materiale;
- Një tjetër në fshatin Ishull Shëngjin (Lezhë), ku për shkak të rrjedhjes së një bombole gazi, është lënduar një grua që u transportua në Spitalin e Traumës.
Gjithashtu, në një tjetër incident, një automjet privat u përfshi nga flakët, duke pësuar vetëm dëme materiale.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 9 forca operacionale dhe 64 automjete zjarrfikëse, në bashkëpunim me autoritetet vendore.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje, ndërsa niveli i rrezikut nga zjarret mbetet “I LARTË” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, dhe “I MODERUAR” në qarqet e tjera të vendit